Tre persona janë arrestuar në Gostivar nën dyshimin për përfshirje në aktivitete të paligjshme me substanca narkotike.

Sipas njoftimit të SPB Gostivar, më 19 mars 2026 rreth orës 00:10, pranë pikës së pagesës në qytet, zyrtarët policorë nga Njësia për tregti të paligjshme me drogë dhe armë kanë privuar nga liria E.E. (40) dhe B.S. (48), të dy nga Gostivari, si dhe Q.R. (70) nga fshati Vranovcë.

Gjatë ndërhyrjes, policia ka vërejtur personat në një automjet të tipit “Volkswagen Bora” me targa të Gostivarit. Sipas autoriteteve, njëri prej tyre ka hedhur dy paketime – një me substancë të ngurtë dhe një tjetër në formë pluhuri, të dyja me ngjyrë kafe. Lëndët janë gjetur dhe konfiskuar për analiza të mëtejshme.

Të dyshuarit janë ndaluar në stacion policor dhe, në koordinim me prokurorin publik, gjatë ditës pritet të ngrihet kallëzim penal ndaj tyre me procedurë të përshpejtuar.