Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se mund të shtyjë vizitën e planifikuar në Pekin në fund të muajit mars, për shkak të përshkallëzimit të situatës me Iran dhe angazhimit të Shteteve të Bashkuara në operacionin ushtarak “Epic Fury”.

Në një deklaratë për The New York Times, Trump u shpreh se prioritet mbetet situata aktuale e sigurisë. “Ne kemi një luftë që po zhvillohet. Mendoj se është e rëndësishme të jem këtu”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan kishte paralajmëruar më herët se vizita në Kinë mund të mos realizohej nëse Pekini nuk do të angazhohej me anije luftarake për të garantuar sigurinë në Ngushtica e Hormuzit.

Megjithatë, autoritetet kineze deri më tani kanë bërë thirrje vetëm për ndaljen e luftimeve, ndërsa Irani vijon të furnizojë Kinën me naftë dhe u mundëson anijeve kineze kalim të sigurt, duke ulur interesin e Pekinit për një bashkëpunim më të thellë ushtarak.

Gjatë një daljeje për mediat, Donald Trump nuk kurseu kritikat as ndaj aleatëve të NATO, duke theksuar se SHBA-të i kanë mbrojtur për vite me radhë pa marrë të njëjtin reagim.

“U kërkuam ndihmë jo sepse kemi nevojë, por sepse dua të shoh si reagojnë,” u shpreh ai.

Trump shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë ushtrinë më të fuqishme në botë dhe janë të afta të veprojnë të vetme nëse është e nevojshme.

Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, pritet të bëjë së shpejti një njoftim lidhur me vendet që mund të mbështesin operacionet amerikane në rajon.