Një rast mashtrimi është denoncuar më 16 mars 2026, rreth orës 13:00, në SPB Tetovë nga një grua 47-vjeçare nga rrethina e Tetovës.

Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur gjatë muajit shkurt të këtij viti, kur e dëmtuara kishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale me një person të identifikuar si S.S. nga fshati Haraçinë, në rrethinë të Shkupit. Ai ishte prezantuar si përfaqësues i një kompanie që merret me prodhimin dhe shitjen e mobiljeve.

Pas komunikimit fillestar, palët kishin rënë dakord për porosinë e disa mobiljeve. Sipas denoncimit, pas një takimi të drejtpërdrejtë, gruaja i kishte dorëzuar të dyshuarit shumën prej 550 eurosh si paradhënie për realizimin e porosisë.

Megjithatë, shërbimi i premtuar nuk është realizuar, ndërsa personi në fjalë më pas është bërë i paqasshëm në telefon dhe ka ndërprerë çdo kontakt me të dëmtuarën.

Nga autoritetet bëhet e ditur se janë duke u ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe dokumentimin e tij.