Kompania Google ka vendosur të tërheqë nga motori i saj i kërkimit një funksion të ri të bazuar në Inteligjenca Artificiale, i cili ofronte këshilla shëndetësore të mbledhura nga përvoja të përdoruesve.
Ky funksion shfaqte sugjerime nga persona që pretendonin se kishin kaluar të njëjtat probleme shëndetësore, por u përball me kritika të forta nga ekspertët, pasi informacionet nuk bazoheshin gjithmonë në burime të verifikuara mjekësore.
Sipas mediave britanike, vendimi për ta hequr këtë opsion vjen në një moment kur përdorimi i inteligjencës artificiale në kërkimet online po vihet gjithnjë e më shumë nën vëzhgim dhe debat publik.
Nga Google u bë e ditur se ky ndryshim është pjesë e një përditësimi më të gjerë të sistemit të kërkimit, megjithatë specialistët e shëndetit paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së keqinformimit.
Ata theksojnë se kombinimi i Inteligjenca Artificiale me përmbajtje të pakontrolluar mund të çojë në vendime të gabuara nga ana e përdoruesve, sidomos kur bëhet fjalë për diagnoza dhe trajtime mjekësore.
Debati mbi sigurinë dhe besueshmërinë e teknologjive të reja në fushën e shëndetësisë po intensifikohet, ndërsa ekspertët kërkojnë kontrolle më të forta dhe standarde më të larta për përdorimin e AI në informacione të ndjeshme si shëndeti.

