Situata në Kubë po përkeqësohet ndjeshëm, teksa ishulli përballet me një kombinim krizash energjetike, presioni gjeopolitik dhe fatkeqësi natyrore, duke krijuar atë që analistët e cilësojnë si një “stuhi perfekte”.
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka rikthyer kërcënimet për një ndërhyrje të mundshme, në të njëjtën ditë kur vendi u përball me ndërprerjen e tretë totale të energjisë elektrike brenda katër muajsh dhe një tërmet me magnitudë 5.8 ballë në brigjet juglindore.
“Besoj se do të kem nderin ta marr Kubën”, deklaroi Trump, duke e cilësuar ishullin si një shtet të dobësuar. Sipas The New York Times, ai mund të jetë gjithashtu i hapur për një marrëveshje politike me kusht largimin e presidentit aktual, Miguel Díaz-Canel.
Në këtë klimë presioni, autoritetet në Havana kanë bërë një lëshim të papritur: kubanët që jetojnë jashtë vendit do të lejohen të investojnë dhe të zotërojnë biznese private në ishull. Vendimi u bë i ditur nga ministri i Tregtisë, Oscar Pérez-Oliva Fraga, si një përpjekje për të përballuar krizën e thellë ekonomike dhe kolapsin e rrjetit energjetik.
Qeveria kubane fajëson SHBA për krizën, duke theksuar se bllokada energjetike dhe ndalimi i furnizimeve me naftë – veçanërisht pas zhvillimeve në Venezuelë – kanë rënduar situatën.
Ndërkohë, jeta e përditshme në ishull është paralizuar: spitalet kanë shtyrë operacionet, mungesa e karburantit ka boshatisur rrugët, ndërsa sigurimi i ushqimeve bazë është bërë gjithnjë e më i vështirë. Në disa qytete janë regjistruar edhe protesta spontane dhe përplasje me autoritetet.
Për të lehtësuar situatën, më 21 mars priten dy iniciativa ndihme. Diaspora kubane në Miami po kërkon leje nga administrata e Donald Trump për të dërguar ndihma humanitare me anije civile. Paralelisht, një autokolonë ndërkombëtare e quajtur “Nuestra América” po përgatit dërgimin e mbi 20 tonëve ushqime dhe pajisje mjekësore.
Nismës i është bashkuar edhe një delegacion nga Itali, i udhëhequr nga eurodeputetët Ilaria Salis dhe Mimmo Lucano, të cilët kanë deklaruar se synojnë të shprehin solidaritet me popullin kuban.
Megjithëse tërmeti i fundit nuk shkaktoi viktima, lëkundjet u ndien në të gjithë ishullin, duke shtuar pasigurinë në një vend që tashmë po përballet me kushte të vështira jetese.

