Policia ka arrestuar gjithsej 13 shoferë gjatë ditës së djeshme në disa qytete të Maqedonisë së Veriut, për shkelje të ndryshme të rregullave në komunikacion.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, katër shoferë nga Shkupi, Shën Nikolla, Radovishi dhe Bogdanci janë kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit.

Ndërkohë, gjashtë shoferë nga Shkupi, Maqedonski Brod, Gostivari dhe Struga janë ndaluar pasi kanë drejtuar automjetet pa poseduar patentë shoferi. Po ashtu, dy shoferë nga Kërçovë janë kapur duke drejtuar automjetin edhe pse kishin ndalim aktiv për drejtim.

Në një rast tjetër, një shofer nga Shkupi është ndaluar duke drejtuar një motoçikletë pa patentë shoferi dhe pa regjistrim.

Nga MPB bëjnë të ditur se në dy raste shoferët nën ndikimin e alkoolit kanë shkaktuar edhe aksidente trafiku. Një person nga Shën Nikolla, tek i cili është konstatuar 1.96 promil alkool në gjak, është përplasur në një mur betoni, ndërsa një shofer nga Bogdanci me 1.99 promil alkool ka dalë nga rruga.

Po ashtu, në një rast në Shkup është ndaluar një automjet që drejtohej pa patentë shoferi, ndërsa gjatë kontrollit është konstatuar se bëhej fjalë për një taksi që kryente transport të pasagjerëve.

Autoritetet njoftojnë se gjithsej janë sekuestruar gjashtë automjete dhe pas dokumentimit të plotë të rasteve do të ngriten padi përkatëse kundër personave të përfshirë.