Policia ka arrestuar gjithsej 11 shoferë gjatë kontrolleve të realizuara gjatë ditës së djeshme në territorin e Maqedonisë së Veriut, për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit.
Sipas autoriteteve, katër persona janë arrestuar pasi drejtonin automjetin edhe pse kishin masë aktive të ndalimit. Ata janë nga Prilep, Veles, Makedonska Kamenica dhe Kërçovë.
Ndërkohë, shtatë shoferë të tjerë janë ndaluar pasi drejtonin automjet pa poseduar leje drejtimi. Ata janë nga Gostivar, Tetovë, Kërçovë, dy nga Shkup dhe dy nga Strugë.
Automjetet e tyre janë sekuestruar, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rasteve ndaj tyre do të ngrihen padi penale përkatëse.
Nga policia apelojnë që të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos drejtojnë automjete pa leje drejtimi, nëse kanë masë ndalimi apo nëse janë nën ndikimin e alkoolit, në mënyrë që të kontribuohet për një trafik më të sigurt për të gjithë.

