Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Kerzers, ku një autobus me pasagjerë është përfshirë nga flakët, duke lënë të paktën gjashtë persona të vdekur dhe pesë të plagosur.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, zjarri shpërtheu rreth orës 18:25 në qytetin që ndodhet rreth 19 kilometra në perëndim të kryeqytetit zviceran Bernë.
Dëshmitarët okularë e përshkruan skenën si të tmerrshme, pasi flakët përfshinë shpejt mjetin dhe autobusi u dogj pothuajse plotësisht. Edhe pse policia, zjarrfikësit dhe ekipet e ndihmës së shpejtë mbërritën menjëherë në vendngjarje, nuk ishte e mundur të shpëtoheshin të gjithë pasagjerët.
Sipas disa burimeve të mediave, dyshohet se zjarri mund të ketë nisur pasi një person u lye me benzinë dhe i vuri flakën vetes brenda autobusit, por autoritetet ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht këtë informacion.
Policia njoftoi se disa persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur, ndërsa shkalla e lëndimeve të të plagosurve nuk është bërë ende e ditur.
Autoritetet kanë bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë larg zonës dhe të respektojnë udhëzimet e shërbimeve të emergjencës, ndërsa hetimet për shkaqet e incidentit janë duke vazhduar. Mediat lokale raportojnë se policia nuk ka komentuar ende nëse ngjarja mund të lidhet me terrorizëm.
Sipas agjencisë zvicerane të lajmeve Keystone-ATS, një nga të plagosurit është transportuar me helikopter drejt spitalit për trajtim mjekësor.

