Gjigandi i teknologjisë Google ka prezantuar disa veçori të reja për inteligjencën e tij artificiale Gemini, të cilat do të integrohen drejtpërdrejt në mjetet e platformës Google Workspace. Përditësimet synojnë ta bëjnë më të shpejtë dhe më të lehtë krijimin e përmbajtjes, analizimin e të dhënave dhe gjetjen e informacionit në dokumente.

Një nga risitë kryesore në Google Docs është funksioni “Më ndihmo të krijoj”, i cili u mundëson përdoruesve të përshkruajnë shkurtimisht atë që duan të shkruajnë, ndërsa Gemini krijon automatikisht një draft të plotë dokumenti. Inteligjenca artificiale mund të përdorë informacione nga Gmail, Google Chat dhe Google Drive për të krijuar përmbajtje të personalizuar, si buletine, raporte apo plane aktivitetesh.

Një tjetër funksion i ri është “Përputh stilin e shkrimit”, i cili harmonizon tonin dhe stilin e tekstit në të gjithë dokumentin, veçanërisht kur në të punojnë disa persona. Ndërkohë, mjeti “Përputh formatin” mund të rregullojë automatikisht strukturën e dokumentit bazuar në një model ose shabllon të caktuar.

Edhe në Google Sheets janë shtuar funksione të avancuara. Gemini mund të krijojë një spreadsheet të plotë vetëm nga një përshkrim i shkurtër i përdoruesit. Sistemi mund të gjenerojë tabela, lista apo plane dhe madje t’i mbushë ato me të dhëna nga email-et, dokumentet ose interneti. Funksioni “Plotësoni me Gemini” mund të kategorizojë të dhënat, të plotësojë kolonat automatikisht dhe të përmbledhë informacionin.

Ndërkohë, Google Slides do të marrë gjithashtu përmirësime. Gemini mund të krijojë diapozitiva të rinj që përshtaten me stilin e prezantimit dhe të sugjerojë elementë dizajni dhe paraqitjeje. Në të ardhmen, pritet që përdoruesit të mund të krijojnë një prezantim të plotë nga vetëm disa ide ose diapozitiva fillestarë.

Ndryshime ka edhe në Google Drive. Me funksionin “Ask Gemini”, përdoruesit mund të bëjnë pyetje në lidhje me dokumentet e tyre dhe sistemi do të krijojë përmbledhje të shkurtra me informacionin më të rëndësishëm, pa qenë nevoja të hapet çdo dokument veçmas.

Karakteristikat e reja të Gemini janë aktualisht në versionin beta dhe fillimisht do të jenë të disponueshme për përdoruesit e paketave Google AI Ultra dhe Google AI Pro, me mbështetje fillestare në gjuhën angleze.