Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka vlerësuar kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, duke e cilësuar atë si një “lidere të madhe” dhe një aleate të rëndësishme në përballjen me Iranin.

Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, Trump gjatë një bisede telefonike me këtë media tha se Italia po bën gjithçka për të mbështetur përpjekjet e SHBA-së dhe të Izraelit në konfliktin me Iranin.

“E dua Italinë, mendoj se ajo është një udhëheqëse e shkëlqyer”, është shprehur Trump për Melonin, sipas raportimit të Sky News.

Ai shtoi se kryeministrja italiane është gjithmonë e gatshme të ndihmojë dhe e cilësoi atë si një mike personale.

“Ajo gjithmonë përpiqet të ndihmojë, është një udhëheqëse e shkëlqyer dhe një mikeshë e imja”, ka thënë presidenti amerikan.

Deklaratat e Trump vijnë pasi ai kritikoi kryeministrin britanik Keir Starmer në platformën e tij Truth Social, duke shkruar se nuk ka nevojë për vende që bashkohen në luftë pasi, sipas tij, fitorja tashmë është arritur.

Nga ana tjetër, Meloni deklaroi se Italia po planifikon të dërgojë ndihmë për mbrojtjen ajrore në vendet e Gjirit për shkak të tensioneve në rajon.

Gjithashtu, një anije e marinës italiane pritet të niset drejt Qipros, si pjesë e një misioni të përbashkët evropian për të mbrojtur ishullin pas sulmeve të raportuara nga Irani.