Mijëra përdorues kanë raportuar vështirësi me aksesin në rrjetin social Meta Platforms në orët e fundit, duke hasur probleme në përdorimin e platformës Facebook.

Sipas faqes jozyrtare për monitorimin e shërbimeve online, Downdetector, janë regjistruar mbi 11,000 raportime për ndërprerje apo mosfunksionim të Facebook-ut.

Të dhënat tregojnë se mbi 60% e ankesave lidhen me faqen e internetit të platformës, ndërsa rreth 16% e përdoruesve kanë raportuar probleme me hyrjen (logimin) në llogaritë e tyre.

Vështirësi janë raportuar edhe në Kosovë, ku sipas përdoruesve problemet më të theksuara shfaqen në versionin desktop të Facebook-ut. Shumë prej tyre kanë bërë të ditur se nuk mund të postojnë, të ndajnë apo të shikojnë përmbajtje.

Deri në këto momente, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga kompania lidhur me shkakun e ndërprerjes apo kohëzgjatjen e saj.