Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar dhe Gjykata Themelore Penale e ka pranuar masën e paraburgimit afatshkurtër 48-orësh për të dyshuarin kryesor në rastin tragjik të vdekjes së një nëne dhe vajzës së saj gjashtëvjeçare në Karposh.

Sipas Prokurorisë, masa u caktua për sigurimin e provave, pasi ekzistojnë dyshime për veprat penale: lëndim trupor, rrezikim të sigurisë dhe shtytje e ndihmë në vetëvrasje.

Ngjarja ndodhi më 2 mars, kur nëna dhe vajza humbën jetën pas rënies nga një ndërtesë në Karposh. Ndaj bashkëshortit të viktimës, më herët ishin regjistruar dhjetë kallëzime penale për vepra nga fusha e krimit të dhunshëm, kundër pronës dhe trafikimit të paligjshëm të drogës.

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, deklaroi se para ngjarjes kishte pasur një konflikt mes bashkëshortëve dhe njoftoi se ndaj tij do të ngrihen padi penale me procedurë të shpejtë.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.