Një 25-vjeçar nga Maqedonia e Veriut ka humbur jetën gjatë punës të premten e kaluar në Niederurnen, Zvicër. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, ndërsa viktima po kryente punime pastrimi në një makinë prodhuese industriale.
Sipas policisë kantonale të Glarus, i riu dyshohet të jetë kapur nga makina industriale, duke pësuar lëndime të rënda në kokë dhe pjesën e sipërme të trupit. Ai u transportua me urgjencë me helikopter drejt spitalit, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit janë duke u zhvilluar nga Prokuroria e Kantonit Glarus dhe Policia Kantonale. Në operacionin emergjent morën pjesë rreth 20 persona, përfshirë policinë, shërbimin e emergjencës, zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit.

