“Ishte kënaqësi të isha i ftuar në iftarin e përbashkët që sot e shtroi Bashkësia Fetare Islame. Faleminderit për ftesën i nderuar Reis Shaqir ef. Fetahu. Zoti ua ndriçoftë zemrat”, ka shkruar Valbon Limani pas pjesëmarrjes në iftarin tradicional të organizuar nga Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, transmeton Gazeta Flaka.
Nën patronazhin e Reisul Ulemasë, Shaqir ef. Fetahu, në këtë mbrëmje të veçantë u bënë bashkë drejtuesit më të lartë shtetërorë, institucionalë dhe përfaqësues të jetës publike në vend.
Të pranishëm ishin Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska‑Davkova, Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ministra dhe zëvendësministra, kryetarë partish politike, kryetarë komunash, ambasadorë, rektorë universitetesh, si dhe personalitete të shumta nga jeta shoqërore dhe civile.
Ezani i iftarit u thirr nga drejtori i Diasporës pranë BFI-së, Mr. Mafiz Rustemi, ndërsa programi u hap nga drejtori i Sektorit për Shkencë, Kulturë dhe Botime Islame, Mr. Musanif Rufati.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Reisul Ulema u uroi mirëseardhje mysafirëve dhe agjërim të lehtë e të pranuar, duke theksuar se Ramazani është muaj reflektimi, afrimi dhe përgjegjësie të përbashkët. Ai nënvizoi rëndësinë e unitetit, tolerancës dhe bashkëjetesës si vlera themelore për stabilitetin dhe perspektivën e vendit.
Mbrëmja u zhvillua në një ambient impozant në hotelin DoubleTree by Hilton Skopje, duke reflektuar frymën e respektit, dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Gazeta Flaka

