Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po i mbajnë të gjitha opsionet e hapura në qasjen ndaj Iranit, duke theksuar se prioritet mbetet arritja e një marrëveshjeje përmes diplomacisë.

Gjatë një deklarate për media në Colorado, Hegseth nënvizoi se presidenti Donald Trump preferon një zgjidhje diplomatike, por paralajmëroi se ushtria amerikane është e përgatitur me plane emergjente në rast se Teherani refuzon të negociojë.

“Irani duhet të bëjë një marrëveshje. Irani ka një mundësi për të bërë një marrëveshje. Ky është rezultati që presidenti do të preferonte”, tha ai, duke shtuar se Pentagoni është i gatshëm të ofrojë opsione të ndryshme nëse situata përshkallëzohet.

I pyetur nëse sulmet ushtarake mbeten në shqyrtim, Hegseth u përgjigj se “gjithçka është në tryezë”, duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon presidentit.

Ndërkohë, Trump hodhi poshtë raportimet mediatike se Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine, kishte paralajmëruar për rreziqe të konsiderueshme nga një veprim ushtarak kundër Iranit dhe mundësinë e përfshirjes së SHBA-së në një konflikt të zgjatur rajonal.

Trump theksoi se çdo vendim në lidhje me veprimin ushtarak do të merret prej tij personalisht.

Ndërkohë, delegacionet e Shtetet e Bashkuara dhe Iranit pritet të takohen sërish në Gjenevë, Zvicër, për të rifilluar diskutimet mbi një marrëveshje të mundshme bërthamore, në një kohë kur tensionet rajonale mbeten të larta dhe spekulimet për një konflikt të mundshëm vazhdojnë.