Në katërvjetorin e nisjes së pushtimit të plotë rus më 24 shkurt 2022, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se vendi i tij do të bëjë “çdo përpjekje për të arritur paqen”, duke theksuar se lufta ka qenë e gjatë dhe e vështirë, por Ukraina vazhdon qëndresën.
Në prag të aktiviteteve përkujtimore që do të zhvillohen në mbarë vendin, Zelensky u shpreh se, pavarësisht katër viteve luftime intensive, presidenti rus Vladimir Putin nuk i ka arritur objektivat e tij strategjike në Ukrainë.
Në një intervistë për CNN nga Kievi, ai deklaroi se beson që presidenti amerikan Donald Trump dhe ekipi i tij synojnë t’i japin fund konfliktit. I pyetur se çfarë pret nga fjalimi për Gjendjen e Kombit, Zelensky u përgjigj: “Dua që ai të qëndrojë në anën tonë”.
Kreu i shtetit ukrainas foli gjithashtu për komunikimin me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se ekziston bashkëpunim i mirë mes ekipeve negociuese të të dyja vendeve. Sipas tij, administrata amerikane është e interesuar realisht për përfundimin e luftës dhe arritjen e një zgjidhjeje diplomatike.
Deklaratat e tij vijnë në një moment simbolik për Ukrainën, ndërsa vendi përkujton katër vite nga fillimi i agresionit rus, që ka shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.

