Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se ekziston “koordinim absolut” me të gjitha qeveritë shtetërore pas operacionit ku mbeti i vrarë lideri i Kartelit të Gjeneratës së Re të Jaliscos (CJNG), Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.

Në një postim në platformën X, Sheinbaum theksoi se qytetarët duhet të qëndrojnë të informuar dhe të qetë, duke shtuar se “aktivitetet po vazhdojnë normalisht në pjesën më të madhe të vendit”.

Ajo pranoi se operacioni ka shkaktuar trazira, ndërsa Sekretaria e Mbrojtjes Kombëtare të Meksikës raportoi për “bllokada të ndryshme dhe reagime të tjera” pas ndërhyrjes së forcave federale.

Sipas ministrisë, Forcat Speciale realizuan operacionin në Tapalpa, në shtetin e Jalisco, një bastion i njohur i CJNG, me synim kapjen e Osegueras. Gjatë aksionit, ushtarët meksikanë u sulmuan dhe, sipas autoriteteve, reaguan në vetëmbrojtje.

Si pasojë, katër anëtarë të kartelit humbën jetën në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë u plagosën rëndë dhe ndërruan jetë gjatë transportit ajror drejt Mexico City. Mes tyre dyshohet se ishte edhe Ruben “N”, i njohur si “El Mencho”, megjithatë identifikimi përfundimtar pritet të konfirmohet nga autoritetet mjeko-ligjore.

Ministria njoftoi gjithashtu për arrestimin e dy anëtarëve të tjerë të kartelit dhe sekuestrimin e automjeteve të blinduara, armëve të ndryshme si dhe raketahedhësve të aftë për të rrëzuar avionë.

Pas lajmit për vdekjen e tij, në disa shtete janë raportuar bllokada rrugësh, djegie automjetesh dhe përleshje të armatosura.

Guvernatori i Jalisco, Pablo Lemus Navarro, shpalli alarm të kuq dhe anuloi mësimin me prezencë fizike në shkolla për ditën e hënë.