Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillojnë të enjten në Gjenevë rundin e tretë të bisedimeve për programin bërthamor iranian, mes tensioneve të shtuara dhe frikës për një përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme.

Lajmin e konfirmoi ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, i cili vepron si ndërmjetës në negociatat indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ai theksoi se ekziston një “shtysë pozitive” për të bërë hapa shtesë drejt finalizimit të një marrëveshjeje.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se “gjëra vërtet të këqija do të ndodhin” nëse nuk arrihet një pajtim lidhur me programin bërthamor të Iranit, teksa SHBA-ja ka shtuar praninë ushtarake në rajon.

Sipas një raportimi të Reuters, Irani ka ofruar lëshime të reja në programin e tij bërthamor, me kusht që marrëveshja të përfshijë heqjen e sanksioneve ekonomike dhe njohjen e të drejtës së tij për pasurim bërthamor për qëllime paqësore.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, është shprehur optimist, duke deklaruar se negociatat e fundit kanë dhënë “sinjale inkurajuese”, por njëkohësisht ka theksuar gatishmërinë e Teheranit për “çdo skenar të mundshëm”.

Nga ana amerikane, i dërguari special i Trumpit për çështjen bërthamore, Steve Witkoff, ka thënë se presidenti është “kurioz” pse Irani nuk ka pranuar të kufizojë programin e tij bërthamor.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, reagoi duke theksuar se Irani nuk do të “kapitullojë”, por shtoi se një zgjidhje diplomatike mbetet e mundshme.

Bisedimet e mëparshme nuk prodhuan marrëveshje, kryesisht për shkak të mospajtimeve mbi kërkesën e SHBA-së që Irani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit në territorin e tij – një çështje që Uashingtoni e konsideron rrezik për zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa Teherani këmbëngul se programi i tij është thjesht për qëllime civile.