Një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund të realizohet brenda tre javësh. Kjo është shpresa e Uashingtonit, sipas të dërguarit special amerikan, Steve Witkoff.
Në një intervistë për Fox News, Witkoff tha se SHBA ka dorëzuar propozime si për Rusinë, ashtu edhe për Ukrainën, të cilat pritet të afrojnë palët. Ai shtoi se kjo mund të çojë në një samit mes dy presidentëve. Luftën që tashmë po shkon drejt katër viteve, Witkoff e quajti “një luftë të kotë”.
“Çfarë të jep dinjitet kur ka kaq shumë vrasje?”, tha ai, duke shtuar se bisedimet e fundit të ndërmjetësuara nga SHBA kanë pasur disa efekte pozitive. Ai nënvizoi se as Rusia dhe as Ukraina nuk duken të gatshme të luftojnë me njëra-tjetrën dhe se vështirësia kryesore për marrëveshje qëndron tek lidershipi.
Witkoff, së bashku me Jared Kushner, ka propozuar ide konkrete për t’i afruar palët, dhe ekziston mundësia që edhe presidenti Donald Trump të përfshihet në një takim të tillë, vetëm nëse mund të arrihet një rezultat real. Ai gjithashtu vlerësoi kontaktet e tij me Putinin, duke theksuar rëndësinë e kuptimit të pozicioneve të palës tjetër për të arritur marrëveshje.

