Një i mitur 16-vjeçar nga fshati Sllatinë është arrestuar mbrëmjen e 21 shkurtit nga policia e Tetovë, pasi u kap duke drejtuar automjet pa leje drejtimi dhe duke rrezikuar sigurinë publike.
Sipas njoftimit të SPB-Tetovë, rreth orës 23:00 në rrugën lokale drejt fshatit Setolë, zyrtarët e Stacionit për Siguri në Trafikun Rrugor kanë privuar nga liria të miturin, i cili po drejtonte një automjet “Mercedes” me targa të Tetovës pa patentë shoferi.
Paraprakisht, në fshatin Neproshten, gjatë tentativës për ndalim nga policët e Stacionit Policor të Tearcës, i mituri ka lëvizur me shpejtësi të madhe, ka goditur një dollap elektrik në pronësi të EVN dhe, sipas policisë, ka tentuar të aksidentojë zyrtarët policorë.
Autoritetet bëjnë të ditur se ndaj tij po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit, në bazë të neneve 297-a dhe 288 të Kodit Penal. I mituri po mbahet në stacion policor së bashku me automjetin, ndërsa pas dokumentimit të plotë do të ngrihet padi përkatëse.

