Pesë nga shtetet më të fuqishme ushtarakisht në Evropë pritet të prezantojnë një plan të ri për investime në dronë ushtarakë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes. Nisma vjen në një kohë kur lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon dhe kur shtohen shqetësimet për angazhimin afatgjatë të SHBA-së ndaj aleancës së NATO.

Sipas një dokumenti të siguruar nga Reuters dhe një burimi nga Ministria e Mbrojtjes e Polonisë, Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Britania e Madhe synojnë të thellojnë bashkëpunimin për zhvillimin e dronëve autonomë – sisteme që mund të veprojnë me ndërhyrje minimale njerëzore.

Ministrat e Mbrojtjes të këtyre vendeve do të mblidhen në Krakow të Polonisë për të diskutuar detajet e planit. Lufta në Ukrainë ka treguar se dronët autonomë, të aftë për të identifikuar dhe neutralizuar objektiva ajrore, mund të përbëjnë një alternativë më të lirë dhe më efektive krahasuar me sistemet tradicionale të mbrojtjes ajrore, që shpesh janë shumë të kushtueshme.

Sipas draft-deklaratës, ministrat mbështesin rritjen e prodhimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake brenda Evropës, duke përshëndetur gjithashtu vendimin e Bashkimi Evropian për t’u dhënë shteteve anëtare më shumë fleksibilitet në përdorimin e buxheteve për mbrojtjen.

Megjithatë, dokumenti thekson se përgjegjësia kryesore për mbrojtjen mbetet në nivel kombëtar, ndërsa roli i BE-së konsiderohet mbështetës. Ministrat janë zotuar të forcojnë bashkëpunimin brenda NATO-s dhe BE-së për t’u përballur me kërcënimet hibride nga Rusia, përfshirë sulmet kibernetike, dezinformimin dhe ndërhyrjet politike.

Gjithashtu, ata kanë rënë dakord të nisin një nismë të re të quajtur “Low-Cost Effectors and Autonomous Platforms” (LEAP), që synon të përforcojë bashkëpunimin në zhvillimin dhe prokurimin e sistemeve ushtarake me kosto të ulët dhe platformave autonome. Në thelb, kjo nënkupton investime në pajisje dhe dronë më ekonomikë, por efektivë, që mund të përdoren në fushëbetejë me efikasitet të lartë dhe varësi të reduktuar nga ndërhyrja njerëzore.

Nisma shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse evropiane dhe për forcimin e autonomisë strategjike në një klimë të pasigurt gjeopolitike.