Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, u ka bërë thirrje urgjente qytetarëve polakë që të largohen menjëherë nga Iran, duke paralajmëruar se rreziku i një konflikti të armatosur është “shumë, shumë real”.

Në një konferencë për shtyp, Tusk deklaroi se përshkallëzimi i situatës mund të ndodhë brenda “disa orësh” dhe se në rast të shpërthimit të një konflikti aktiv, evakuimi mund të mos jetë më i mundur.

“Ju lutem, merreni këtë seriozisht. Kemi pasur përvoja të këqija në të kaluarën me njerëz që i injorojnë këto paralajmërime. Dua ta theksoj edhe një herë: largohuni menjëherë nga Irani ose anuloni planet tuaja të udhëtimit. Nëse shpërthen një konflikt i nxehtë, askush nuk do të jetë në gjendje t’ju garantojë një rrugëdalje”, u shpreh ai.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa CNN raportoi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të kryer një sulm të mundshëm ndaj Iranit. Megjithatë, sipas raportimeve, presidenti Donald Trump ende po peshon vendimin përfundimtar mbi autorizimin e veprimeve ushtarake.

Paralajmërimi i kryeministrit polak është një nga reagimet më të forta publike nga një lider evropian lidhur me situatën aktuale, duke reflektuar shqetësimin në rritje për një përshkallëzim të mundshëm rajonal.