Katër persona janë arrestuar nën dyshimin për mashtrim financiar, falsifikim dokumentesh dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, pas një hetimi të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Sipas Policisë, të dyshuarit M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh. dyshohet se kanë falsifikuar dokumente, përfshirë pasaportë të Serbisë dhe dokumente të tjera identifikuese, duke paraqitur një person të rrejshëm si pronar të ligjshëm të një prone.

Me këtë skemë ata kanë tjetërsojë një parcelë prej 36.28 ari, në pronësi të ankuesit M.T., ndërsa mashtruan edhe blerësin H.M. duke i prezantuar dokumentacion të rregullt.

Nga kjo skemë dyshohet se janë përfituar 1,578,180 euro. Policia ka realizuar kontrolle në pesë lokacione, ku janë sekuestruar 9,000 euro para të gatshme si provë për procedurën penale.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës dhe konsultimit me prokurorin, atyre u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.