Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë gjatë një takimi me senatorët amerikanë Richard Blumenthal dhe Sheldon Whitehouse.

Lajmin e bëri të ditur vetë kreu i shtetit ukrainas përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se sanksionet mbeten mjeti më efektiv për të ndikuar në Moskë. “Ne nuk shohim mjete më të mira për të ndikuar në Moskë sesa presioni. Aktualisht në Senat ka një akt të rëndësishëm sanksionues dhe presim që ai të funksionojë”, deklaroi Zelensky.

Ai shtoi se gjatë takimit ka informuar senatorët për sulmet e vazhdueshme ruse ndaj popullsisë ukrainase, përfshirë edhe sulmet ndaj bizneseve amerikane që operojnë në Ukrainë. Sipas tij, është e drejtë që asetet e ngrira ruse të përdoren për mbrojtjen e vendit, duke përfshirë blerjen e raketave për sistemet mbrojtëse Patriot.

Sipas Presidencës ukrainase, bisedimet u fokusuan edhe në mbështetjen energjetike për Ukrainën. Zelensky falënderoi Shtetet e Bashkuara për reagimin e shpejtë ndaj nevojave të sektorit energjetik dhe bëri të ditur se këtë javë në Francë do të mbahet një takim në “formatin e energjisë Ramstein”, ku Ukraina do të paraqesë një listë konkrete pajisjesh të nevojshme për rivendosjen e infrastrukturës energjetike.

Në takim u diskutua edhe çështja e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia. Para bisedimeve, senatorët amerikanë u takuan me disa prej fëmijëve të kthyer në Ukrainë. Zelensky theksoi se Rusia po mban mijëra fëmijë ukrainas, ndërsa mbi 1,800 prej tyre janë rikthyer tashmë në atdhe.

Ai njoftoi se Koalicioni Ndërkombëtar për Kthimin e Fëmijëve Ukrainas do të zhvillojë takime me partnerë në Bruksel dhe në Shtetet e Bashkuara, me pjesëmarrjen edhe të Zonjës së Parë të SHBA-së.

Në fund, Zelensky shprehu mirënjohje për mbështetjen e fortë dypartiake në Senatin amerikan, si dhe falënderoi presidentin amerikan, Kongresin dhe popullin e SHBA-së për ndihmën e vazhdueshme ndaj Ukrainës.