Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar sërish Teheranin për “pasojat” me të cilat mund të përballet nëse nuk arrihet një marrëveshje, pak para nisjes së raundit të dytë të bisedimeve SHBA–Iran në Gjenevë.
Duke folur me gazetarët në aeroplanin presidencial pas kthimit në Uashington, Trump deklaroi se do të marrë pjesë “indirekt” në negociata. “Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Nuk mendoj se duan të vuajnë pasojat e mosarritjes së një marrëveshjeje”, u shpreh ai, duke iu referuar autoriteteve iraniane.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke rritur presionin diplomatik dhe strategjik përpara negociatave.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nga Hungaria theksoi se ekziston një “mundësi” për arritjen e një marrëveshjeje diplomatike që do të adresojë shqetësimet e Uashingtonit, por paralajmëroi se pritjet duhet të jenë realiste. “Do të jemi të hapur dhe pozitivë, por nuk dua ta mbivlerësoj”, tha Rubio, duke shtuar se arritja e marrëveshjeve me Iranin ka qenë historikisht e vështirë.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka mbërritur në Gjenevë për raundin e ri të bisedimeve dhe ka njoftuar një takim me kreun e Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, Rafael Grossi. Ai do të shoqërohet nga ekspertë bërthamorë për “diskutime të thella teknike”.
Në një postim në platformën X, Araghchi theksoi: “Jam në Gjenevë me ide të vërteta për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të barabartë. Ajo që nuk është në tryezë është nënshtrimi nën kërcënime.”
IAEA po kërkon sqarime nga Irani lidhur me fatin e rreth 440 kilogramëve uranium të pasuruar shumë, pas sulmeve izraelito-amerikane në qershor, si dhe rifillimin e plotë të inspektimeve në objektet kryesore bërthamore në Natanz, Fordow dhe Isfahan.
Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit rifilluan më herët këtë muaj në Oman, me synimin për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak dhe për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen e gjatë mbi programin bërthamor iranian.

