Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ashpërsuar qëndrimin e tij në mosmarrëveshjen me Iranin lidhur me programin bërthamor dhe atë raketor, duke lënë të kuptohet se mbështet një ndryshim të pushtetit në Teheran.
“Kjo duket si gjëja më e mirë që mund të ndodhë”, u shpreh Trump, pa dhënë detaje konkrete se kush mund të pasojë udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei. I pyetur për alternativat e mundshme, presidenti amerikan u kufizua duke thënë: “Ka njerëz”.
Trump theksoi se udhëheqja iraniane duhet “të japë marrëveshjen që duhej ta kishte dhënë herën e parë”, duke iu referuar negociatave mbi programin bërthamor. Uashingtoni dhe Teherani zhvilluan bisedime për këtë çështje vitin e kaluar, por ato përfunduan pa rezultat konkret.
Ndërkohë, një raund i ri negociatash mbi programin bërthamor të Iranit pritet të mbahet të martën në Geneva. Një delegacion amerikan do të takohet me përfaqësues të Teheranit në Zvicër, ndërsa përfaqësues nga Oman do të jenë të pranishëm në rolin e ndërmjetësit.
Këto zhvillime vijnë në një moment tensioni të lartë mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër përpjekjet për rifillimin e dialogut diplomatik.

