Facebook ka nisur të ofrojë funksione të reja bazuar në inteligjencë artificiale nga kompania Meta, që u lejojnë përdoruesve të bëjnë fotot e profilit më të gjalla dhe të shprehin ndjenja në mënyra kreative.
Përdoruesit tani mund të shndërrojnë një foto statike të profilit në një animacion të shkurtër, duke zgjedhur efekte si përshëndetje me dorë, kapele feste apo zemër, sipas humorit apo mesazhit që duan të përcjellin. Meta ka paralajmëruar se do të shtojë më shumë opsione animimi gjatë vitit.
Përveç animacioneve për fotot e profilit, Facebook prezanton edhe funksionin “Restyle” për Stories dhe Memories, që lejon përdoruesit të ndryshojnë stilin e imazheve duke përdorur AI ose duke zgjedhur nga stile të gatshme. Gjithashtu, përdoruesit mund të shtojnë sfond animuar në postimet e tekstit në Feed, për ta bërë përdorimin më tërheqës dhe krijues.
Ndërkohë, kompania do të përballet javën e ardhshme me një gjyq në New Mexico, në një padi të ngritur nga Prokurori i Përgjithshëm Raul Torrez, për ekspozimin e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj shfrytëzimit seksual në platformat Facebook, Instagram dhe WhatsApp. Padia pretendon se Meta promovoi përmbajtje të paligjshme dhe mundësoi shfrytëzimin e fëmijëve, duke shënuar çështjen e parë të këtij lloji që arrin në një juri.

