Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të udhëtojë drejt Pekinit gjatë javës së parë të prillit, ku do të zhvillojë një takim me presidentin kinez Xi Jinping, raporton Politico, duke cituar tre burime të njohura me planifikimin e vizitës.

Vizita vjen pak ditë pas një bisede telefonike mes dy liderëve, të cilën Trump e përshkroi si “të gjatë dhe thelbësore”. Sipas presidentit amerikan, diskutimet janë përqendruar në çështje tregtare dhe konflikte ndërkombëtare, duke hapur rrugën për takimin e planifikuar në Kinë.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump bëri të ditur se gjatë telefonatës janë diskutuar edhe lufta në Ukrainë, zhvillimet në Iran, si dhe çështja e Tajvanit. Kjo e fundit nuk ishte përfshirë në takimin e mëparshëm mes Trump dhe Xi, i cili u mbajt në Korenë e Jugut në fund të vitit të kaluar.

Përfshirja e Tajvanit në bisedimet e fundit lë të hapur mundësinë që kjo çështje të jetë një nga temat kryesore të takimit të pritshëm në Pekin, në një moment delikat për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.