Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se nuk do të lejojë hapjen e një ure në ndërtim e sipër që do të lidhë Kanadanë me SHBA-në, duke deklaruar se Uashingtoni duhet të zotërojë “të paktën gjysmën” e kësaj infrastrukture, raporton CNN.

Në një postim në rrjetin social që ai zotëron personalisht, Trump tha se ura nuk do të hapet derisa Shtetet e Bashkuara të “kompensohen plotësisht” për ndihmën që, sipas tij, i kanë dhënë Kanadasë, si dhe derisa Otava ta trajtojë SHBA-në “në mënyrë të drejtë dhe me respektin që meriton”.

“Do të fillojmë negociatat MENJËHERË”, shkroi Trump, duke përdorur shkronja të mëdha për theksim, siç bën zakonisht. Ai shtoi se, duke pasur parasysh kontributin amerikan, SHBA-ja duhet të zotërojë “të paktën gjysmën” e këtij projekti.

Ura, e cila po ndërtohet mbi lumin Detroit, do të lidhë qytetin Detroit në shtetin amerikan të Michiganit me qytetin kanadez Windsor, në provincën Ontario. Projekti ka nisur në vitin 2018 dhe kostoja totale vlerësohet në rreth 6.4 miliardë dollarë kanadezë (afërsisht 4 miliardë euro). Ajo pritet të bëhet funksionale në vitin 2026.

Sipas dokumenteve të Autoritetit të Urës Windsor-Detroit, Kanadaja është zotuar të garantojë plotësisht financimin e projektit, ndërsa ura do të jetë në pronësi të përbashkët të Kanadasë dhe shtetit amerikan të Michiganit. Ajo do të mbajë emrin e legjendës kanadeze të hokejit në akull, Gordie Howe.

Në të njëjtin postim, Trump kritikoi sërish Otavën për përpjekjet e saj për të forcuar bashkëpunimin me Kinën, duke deklaruar se Pekini “do ta hajë Kanadanë të gjallë”. Ai sulmoi gjithashtu ish-presidentin amerikan Barack Obama, i cili kishte dhënë miratimin fillestar për projektin.

Që nga rikthimi i tij në pushtet, Donald Trump ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën dhe politikat ndaj Kanadasë, përfshirë kërcënime tregtare dhe ekonomike. Ai ka përsëritur disa herë se fqinji verior duhet të bëhet “shteti i 51-të” i SHBA-së.

Së fundmi, Trump ka kërcënuar Kanadanë me tarifa shtesë deri në 100% në rast se arrihet një marrëveshje tregtare mes Otavës dhe Pekinit, si dhe ka paralajmëruar tërheqjen e certifikimit për avionët e prodhuar nga kompanitë kanadeze, kryesisht Bombardier.

Në mesin e janarit, kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi marrëveshje me Kinën për tarifat dhe importin e automjeteve elektrike gjatë një vizite në Pekin, e cila u përshkrua si një kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve pas vitesh tensione dhe përplasje.