Pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar rrënjësisht qasjen e vendeve evropiane ndaj mbrojtjes, duke shtyrë edhe shtetet më të vogla të Bashkimit Evropian të investojnë në industri vendase të teknologjisë së lartë ushtarake. Një nga shembujt më domethënës është Qiproja, e cila po shndërrohet në një aktor të rëndësishëm në zhvillimin e dronëve luftarakë.
Prodhuesi qipriot “Swarmly” njofton se më shumë se 200 dronë të tipit H-10 Poseidon janë aktualisht në përdorim nga ushtria ukrainase, duke ndihmuar artilerinë në identifikimin e objektivave armike në çdo kusht moti. Sipas kompanisë, këta dronë kanë grumbulluar mbi 100 mijë orë fluturimi gjatë tre viteve të fundit, ndërsa vijat e frontit në Ukrainë janë shndërruar në terren real testimi për teknologjitë më të avancuara pa pilot.
Fabrika e “Swarmlyt”, me një sipërfaqe prej 5.000 metrash katrorë, prodhon mjete ajrore pa pilot që eksportohen edhe në vende si Indonezia, Nigeria, India dhe Arabia Saudite. Në ambiente të sigurta të saj, kompania zhvillon gjithashtu dronë detarë super të shpejtë, të pajisur me kamera me definicion të lartë dhe armë të rënda.
Ekspertët vlerësojnë se UAV-të po riformësojnë luftën moderne, duke u dhënë edhe ushtrive më të vogla një avantazh të ndjeshëm ndaj kundërshtarëve më të fuqishëm. “Dronët janë shumëzuese force – fleksibël, efikasë dhe me kosto relativisht të ulët”, shpjegon Federico Borsari nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane.
Në të njëjtën linjë po ecin edhe vende të tjera të BE-së, si shtetet baltike, Danimarka dhe Greqia, e cila ka nisur një program modernizimi ushtarak prej 25 miliardë eurosh. Ndërkohë, NATO u ka bërë thirrje vendeve evropiane të përshpejtojnë zhvillimin e teknologjive mbrojtëse, përfshirë dronët dhe sistemet kundërdronë.
Në sfondin e luftës në Ukrainë dhe pasigurisë në marrëdhëniet transatlantike, Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion miliarda euro për forcimin e kapaciteteve të përbashkëta mbrojtëse. Qiproja pritet të përfitojë rreth 1.2 miliardë euro kredi afatgjata në kuadër të programit SAFE, duke konsoliduar më tej industrinë e saj të re të mbrojtjes, e cila tashmë përfshin rreth 30 kompani dhe qendra kërkimore.

