Të paktën 18 minatorë kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë si pasojë e një shpërthimi në një minierë qymyri që operonte ilegalisht në shtetin Meghalaya, në verilindje të Indisë, kanë njoftuar autoritetet policore.
Operacionet e shpëtimit janë ende në vazhdim, ndërsa autoritetet dyshojnë se disa persona të tjerë mund të jenë ende të bllokuar nën tokë. Shpërthimi ndodhi rreth orës 11:00 sipas kohës lokale të enjten, në zonën East Jaintia Hills, rreth 72 kilometra larg kryeqytetit të shtetit, Shillong.
Sipas drejtorit të policisë së Meghalaya-s, Vikash Kumar, aksidenti dyshohet të jetë shkaktuar nga përdorimi i dinamitit – një metodë jashtëzakonisht e rrezikshme e përdorur për hapjen e tuneleve shumë të ngushta, ku minatorët detyrohen të punojnë të përkulur për të nxjerrë qymyrin.
Aktivistët lokalë kanë denoncuar prej vitesh përdorimin e kësaj metode, pavarësisht se minierat e tilla janë të ndaluara me ligj në Meghalaya. Policia ka nisur një hetim penal, ndërsa pronarët dhe operatorët e minierës ende nuk janë identifikuar.
Deri më tani, nga miniera janë nxjerrë 18 trupa, ndërsa një person me djegie të rënda është shtruar në spital në Shillong. Autoritetet thonë se ende nuk dihet saktësisht se sa punëtorë mund të jenë të bllokuar nën tokë, ndërsa identiteti i viktimave nuk është konfirmuar.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka shpallur ndihmë financiare për familjet e viktimave, si dhe për personin e plagosur. Ndërkohë, kryeministri i Meghalaya-s, Conrad Sangma, deklaroi se “kushdo që mban përgjegjësi do të përballet me masa të rrepta ligjore”.
Banorë lokalë kanë bërë të ditur se shumica e minatorëve të vrarë dyshohet të kenë qenë nga shteti fqinj Assam. Kryeministri i Assam-it, Himanta Biswa Sarma, u shpreh se nëse kjo konfirmohet, autoritetet e shtetit do të ofrojnë mbështetje të plotë për familjet e prekura.
Ky shpërthim konsiderohet një nga aksidentet minerare më vdekjeprurëse në Meghalaya në vitet e fundit. Në vitin 2018, një ngjarje e ngjashme la të bllokuar të paktën 15 minatorë pas përmbytjes së një tuneli, ndërsa operacionet e shpëtimit zgjatën me muaj.

