Zëvendëskryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka zhvilluar tre takime të rëndësishme në Capitol Hill, ku ka ngritur shqetësimin për zhvillimet aktuale politike dhe strategjike në Maqedoninë e Veriut.

Osmani u takua me kongresmenin Pete Sessions nga Teksasi, me kongresmenen Claudia Tenney nga Nju Jorku, anëtare e Komisionit për Inteligjencë, si dhe me Keith Self, kongresmen nga Teksasi dhe kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Në të tre takimet paraqita të njëjtin shqetësim: zhvillimet aktuale në Maqedoninë e Veriut, bllokimin e rrugës evropiane, paqartësinë strategjike dhe përpjekjet për të cenuar marrëveshjet e paqes,” ka deklaruar Osmani.

Ai ka theksuar se situata aktuale kërkon angazhim më të madh nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për të ruajtur stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit.

“Theksova nevojën për një vëmendje më të madhe amerikane për të mbrojtur investimin dhe vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen e vendit dhe të rajonit,” ka shtuar Osmani.

Sipas tij, paqartësia strategjike dhe devijimi nga rruga evropiane përbëjnë rrezik jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për stabilitetin më të gjerë rajonal. Gazeta Flaka