Rreth shtatë milionë raste të kancerit mund të parandalohen çdo vit, sipas një analize të gjerë të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Raporti vlerëson se 37% e të gjitha rasteve të kancerit shkaktohen nga faktorë të parandalueshëm si infeksionet, zgjedhjet e stilit të jetës dhe ndotja mjedisore, raporton BBC.

Sipas OBSH-së, një pjesë e madhe e këtyre rasteve lidhen me pirjen e duhanit, konsumimin e alkoolit, mbipeshën, mungesën e aktivitetit fizik, si dhe infeksione virale si virusi i papilomës humane (HPV), i cili është shkaktar kryesor i kancerit të qafës së mitrës dhe mund të parandalohet përmes vaksinimit.

Shkencëtarët theksojnë se gjetjet e raportit tregojnë se ekziston “një mundësi e fuqishme për të transformuar jetën e miliona njerëzve” përmes parandalimit dhe politikave më të forta shëndetësore.

Megjithatë, ekspertët sqarojnë se jo të gjitha llojet e kancerit janë të parandalueshme. Disa prej tyre lidhen me dëmtime të pashmangshme të ADN-së gjatë plakjes ose me faktorë gjenetikë të trashëguar.

Studiuesja Isabelle Soerjomataram nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin (IARC), e cila është pjesë e OBSH-së, tha se “shumë njerëz habiten kur mësojnë se gati katër në dhjetë raste kanceri mund të parandalohen”.

Raporti ka analizuar 30 faktorë rreziku të parandalueshëm, të njohur për rritjen e rrezikut të kancerit. Këta faktorë përfshijnë:

  • Pirjen e duhanit dhe rrezatimin ultravjollcë, të cilët dëmtojnë drejtpërdrejt ADN-në
  • Mbipeshën dhe mungesën e aktivitetit fizik, që ndikojnë në inflamacion dhe hormone
  • Ndotjen e ajrit, e cila mund të aktivizojë qelizat kancerogjene të fjetura

Duke u bazuar në të dhënat globale të vitit 2022, tre faktorët kryesorë që kontribuan në mbi 18 milionë raste kanceri në botë ishin:

  • Pirja e duhanit – 3.3 milionë raste
  • Infeksionet – 2.3 milionë raste
  • Alkooli – rreth 700 mijë raste

Raporti evidenton gjithashtu një ndarje gjinore, ku 45% e rasteve të kancerit tek burrat mund të parandalohen, krahasuar me 30% tek gratë. Në Evropë, te gratë, faktorët kryesorë parandalues janë duhani, infeksionet dhe obeziteti.

Sipas OBSH-së, kanceri i mushkërive, kanceri i stomakut dhe kanceri i qafës së mitrës përbëjnë pothuajse gjysmën e të gjitha rasteve të kancerit që mund të parandalohen, duke nënvizuar rëndësinë e masave parandaluese dhe ndërgjegjësimit publik.