Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, në një periudhë të cilësuar si të ndjeshme politikisht për rajonin dhe më gjerë.
“Sot u takova me Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Denion Meidani. Në një moment të ndjeshëm politik për rajonin dhe më gjerë, patëm një bisedë të thelluar për proceset evropiane, zhvillimet gjeopolitike dhe përgjegjësinë institucionale që kemi ndaj faktorit shqiptar, kudo që jeton”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka theksuar se mbetet i palëkundur në angazhimin për një politikë me vizion dhe dinjitet shtetëror. “Si gjithmonë, angazhimi im mbetet i palëkundur për një politikë me vizion, qëndrueshmëri dhe dinjitet shtetëror, duke forcuar bashkëpunimin mbarëkombëtar dhe rolin politik të shqiptarëve në çdo proces vendimmarrës”, ka shtuar lideri i BDI-së.
Edhe ambasadori Denion Meidani e ka vlerësuar takimin, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe unitetit politik.
“Gjithmonë kënaqësi takimi me Ali Ahmetin. Bisedë e drejtpërdrejtë për sfidat e kohës, rrugën evropiane dhe përgjegjësinë që kemi ndaj shqiptarëve kudo që jetojnë. Kur ka vizion, unitet dhe qëndrueshmëri, ecim përpara me dinjitet”, ka deklaruar Meidani.
Takimi vjen në një kohë kur çështjet e integrimit evropian dhe pozicionimi politik i shqiptarëve në rajon mbeten në fokus të zhvillimeve politike. Gazeta Flaka

