OpenAI ka njoftuar se së shpejti do të fillojë të shfaqë reklama për përdoruesit që përdorin versionin falas të ChatGPT. Testimi i këtyre reklamave pritet të nisë në javët e ardhshme, ndërsa ato ende nuk janë të disponueshme për publikun.

Reklamat do të shfaqen në fund të përgjigjeve të ChatGPT dhe do të lidhen me produktet ose shërbimet që janë relevante për bisedën aktuale të përdoruesit. Kompania ka bërë të ditur se reklamat “do të jenë të shënuara qartë dhe të ndara nga përgjigjet organike” të ‘chatbotit’.

Ky hap është pjesë e përpjekjeve të OpenAI për të gjeneruar të ardhura nga mbi 800 milionë përdoruesit e ChatGPT, shumica e të cilëve e përdorin shërbimin falas.