Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, më 19 janar, në lagjen “Drenovec” të Tetovës, duke shkaktuar shqetësim dhe reagime të shumta në opinionin publik.

Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 19:20, një grup tifozësh, të udhëhequr nga R.E. (23), kanë sulmuar fizikisht dy persona, A.J. dhe D.P., të dy nga Shkupi. Sulmuesit, disa prej të cilëve kanë qenë të maskuar, kanë përdorur mjete të forta dhe metalike, duke shkaktuar lëndime serioze te njëri prej viktimave.

Si pasojë e sulmit, A.J. ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa është dëmtuar ndjeshëm edhe një veturë e tipit “Mazda 3”, e cila ndodhej në vendin e ngjarjes.

Pas ndërhyrjes së policisë, R.E., i cili dyshohet se është udhëheqësi i grupit të tifozëve, është arrestuar nga zyrtarët e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë dhe aktualisht po mbahet në stacionin policor, ndërsa po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.