Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka rritur presionin ndaj NATO-s dhe aleatëve evropianë lidhur me Grenlandën, duke kërkuar sërish që territori t’i dorëzohet SHBA-së. Këtë kërkesë ai e ka bërë në një letër drejtuar kryeministrit të Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, ku ka përmendur edhe faktin se nuk i është ndarë Çmimi Nobel për Paqen.
Sipas mediave norvegjeze, presidenti amerikan ka argumentuar se Danimarka nuk është në gjendje ta mbrojë Grenlandën nga kërcënimet e Rusisë dhe Kinës, duke theksuar se kontrolli amerikan mbi ishullin është i domosdoshëm për sigurinë globale.
“Kam bërë për NATO-n më shumë se çdo person tjetër që nga themelimi i saj dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara”, thuhet në letrën që ai i ka dërguar kryeministrit norvegjez.
Trumpi ka lidhur drejtpërdrejt pretendimin për Grenlandën me faktin se nuk iu dha Çmimi Nobel për Paqen, çmim për të cilin ai ka deklaruar vazhdimisht se e meriton.
“I dashur Jonas, duke qenë se vendi yt vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen, pavarësisht se kam ndalur tetë luftëra e më shumë, nuk ndihem më i detyruar të mendoj vetëm për paqen. Ajo do të mbetet gjithmonë mbizotëruese, por tani mund të mendoj edhe për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet të ketë shkruar ai në letër.
Nga ana tjetër, kryeministri norvegjez ka deklaruar se ia ka sqaruar vazhdimisht Trumpit se është “gjerësisht e njohur” që qeveria e Norvegjisë nuk vendos për fituesin e Çmimit Nobel për Paqen.
Presidenti amerikan ka vazhduar gjithashtu me kritika ndaj Danimarkës, duke thënë se ajo pretendon pronësinë mbi Grenlandën “vetëm sepse një anije ka zbarkuar atje qindra vjet më parë”, pa pasur dokumente të shkruara që e dëshmojnë këtë.
“Edhe ne kemi pasur anije që kanë zbarkuar atje. Kam bërë më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara. Bota nuk është e sigurt nëse ne nuk kemi kontroll të plotë mbi Grenlandën”, ka shkruar tutje Trumpi.
Sipas raportimeve, letra është shkruar nga vetë presidenti amerikan dhe më pas është shpërndarë nga stafi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare te disa ambasadorë evropianë në Uashington. Autenticitetin e letrës e ka konfirmuar edhe kryeministri norvegjez, ndërsa ajo është publikuar edhe nga gazetari amerikan Nick Schifrin.

