Është hapur pjesërisht rruga Qukës–Qafë Plloçë, pas ndërhyrjeve për largimin e masivit shkëmbor që ra rreth 10 ditë më parë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe motit të keq që përfshinë qarkun e Korçës.
Sipas autoriteteve, aktualisht qarkullimi lejohet vetëm për mjetet që kanë si destinacion fshatrat e Pogradecit, të cilat lidhen me këtë aks rrugor. Ndërhyrja është bërë e mundur pasi është larguar i gjithë materiali shkëmbor që bllokoi rrugën.
Ndërkohë, firma kontraktuese po vijon punimet për pastrimin e rrugës nga balta dhe dherat e mbetura. Autoritetet bëjnë me dije se mjetet me destinacion Elbasanin apo anasjelltas drejt Korçës do të rifillojnë qarkullimin normal ditën e nesërme, të hënën.
Ky segment rrugor ka qenë shpesh problematik, për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe masiveve shkëmbore, të cilat në disa raste kanë çuar në bllokime të plota të qarkullimit, veçanërisht gjatë kushteve të motit të keq.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet e policisë rrugore deri në normalizimin e plotë të situatës.

