Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë dhe grupit parlamentar, ka folur mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi përballet me kushte më të rënda se ato që janë vendosur për vendet e tjera të Evropës.

Rama u kërkoi kolegëve që të mos krahasojnë Shqipërinë me vendet e tjera, duke sqaruar se procesi i negociatave me BE-në është i detyruar dhe nuk mund të trajtohet si një proces i lirë diskutimi. Sipas tij, çdo draft i ligjeve të BE-së kalon për miratim në parlament, por nuk mund të ndryshohet sipas mendimeve individuale.

Ai gjithashtu theksoi se vendet që u anëtarësuan në fillim të BE-së përballeshin me më pak kushte, ndërsa tani vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, hasin kritere shumë më të ashpra.