Një paralajmërim i ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara ka ardhur nga Gunther Fehlinger, Kryetar i Komitetit të Zgjerimit të NATO-s në Austri, mes spekulimeve se Donald Trump mund të synojë marrjen e Grenlandës, madje edhe përmes ndërhyrjes ushtarake.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Fehlinger deklaroi se nëse SHBA do të ndërmerrte hapa për aneksimin e Grenlandës, Evropa do të reagonte ashpër, duke përfshirë konfiskimin e të gjitha bazave ushtarake amerikane në territorin evropian.

“Nëse merrni Grenlandën, ne do të marrim çdo bazë amerikane – nga Aviano në Ramstein, nga Rumania dhe të gjitha bazat e tjera ushtarake. Ato do të konfiskohen dhe SHBA do të humbasë pozitat që ka mbajtur që nga Lufta e Dytë Botërore. Nëse merrni Grenlandën, duhet të largoheni”, u shpreh Fehlinger.

Videoja u shpërnda gjerësisht në platformat X dhe Reddit, dhe ishte pjesërisht një reagim ndaj një postimi provokues të podkasteres së afërt me lëvizjen MAGA, Katie Miller, e cila publikoi një imazh të Grenlandës të mbuluar me flamurin amerikan, shoqëruar me mbishkrimin “Very soon” (“Shumë shpejt”).

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Miller-it, Fehlinger theksoi se Evropa është e aftë të mbrojë veten edhe pa mbështetjen ushtarake amerikane. “Ne mund ta mbrojmë veten shumë mirë, pa strehën bërthamore amerikane, pa trupat amerikane në Evropë dhe pa bazat amerikane”, deklaroi ai.

Ndërkohë, edhe liderë të tjerë evropianë kanë reaguar ndaj pretendimeve se SHBA mund të synojë ishullin strategjik në Arktik. Disa prej tyre kanë paralajmëruar se një veprim i tillë nga një administratë Trump mund të çojë në një krizë të thellë brenda NATO-s, madje edhe në shpërbërjen e aleancës ushtarake.