Në orën 24:00 përfundon zyrtarisht fushata zgjedhore dhe nis heshtja zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura për kryetar komune, të cilat do të mbahen të dielën, më 11 janar, në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë–Rostushë dhe Qendër Zhupë.
Heshtja zgjedhore do të zgjasë deri në përfundimin e votimit të dielën në orën 19:00, gjatë së cilës ndalohet çdo formë e propagandës zgjedhore, në përputhje me Kodin Zgjedhor.
Zgjedhjet po përsëriten pasi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 19 tetor nuk u arrit censusi i nevojshëm prej 33,33 për qind të votuesve të regjistruar në asnjërën nga katër komunat. Në Gostivar pjesëmarrja ishte 33,31 për qind, në Vrapçisht 25,18 për qind, në Mavrovë–Rostushë 30,31 për qind, ndërsa pjesëmarrjen më të ulët e shënoi Qendër Zhupa me 21,49 për qind.
Në Gostivar, në garë për kryetar komune janë Valbon Limani, kandidat i AKI-së, respektivisht i koalicionit BDI–ASH, dhe Nevzat Bejta, kandidat i koalicionit VLEN. Në Vrapçisht, kandidat janë Isen Shabani nga AKI dhe Zulhajrat Demiri, kandidat i pavarur i përkrahur nga VLEN-i dhe ASH-ja e Ziadin Selës.
Në Qendër Zhupë ka vetëm një kandidat për kryetar komune, Arijan Ibrahim nga Partia Demokratike e Turqve, ndërsa në Mavrovë–Rostushë garojnë Anes Ahmeti, kandidat i LSDM-së dhe koalicionit, dhe Oner Jakuposki, kandidat i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), listat e votuesve janë mbyllur dhe numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 82.870 në Gostivar, 27.279 në Vrapçisht, 10.575 në Mavrovë–Rostushë dhe 7.562 në Qendër Zhupë.
KSHZ njofton se fletët e votimit dhe pajisjet për identifikim biometrik janë shpërndarë në Komisionet Komunale Zgjedhore, ndërsa të shtunën do të votojnë personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe personat në burgje dhe paraburgim të regjistruar në Listën Zgjedhore.
Sipas Kodit Zgjedhor, për zgjedhjet e përsëritura nuk kërkohet pjesëmarrje prej një të tretës së votuesve, por për zgjedhjen e kryetarit të komunës është e nevojshme që më shumë se gjysma e votuesve që dalin në votim të votojnë për njërin nga kandidatët. Gostivari Sot

