
Zgjedhjet e përsëritura për kryetarë komunash do të mbahen më 11 janar në katër komuna, pasi në zgjedhjet lokale të 19 tetorit nuk u arrit censusi i nevojshëm. Bëhet fjalë për komunat Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë–Rostushë, shkruan Gostivari Sot.
Në Gostivar, në garë për kryetar komune janë Valbon Limani, kandidat i AKI-së, respektivisht i koalicionit BDI–ASH, si dhe Nevzat Bejta, kandidat i VLEN-it.
Në Vrapçisht, për postin e kryetarit të komunës garojnë Isen Shabani, kandidat i AKI-së, dhe Zulhajrat Demiri, kandidat i pavarur, i përkrahur nga VLEN-i dhe ASH-ja e Ziadin Selës.
Zgjedhje për kryetar komune do të mbahen edhe në Qendër Zhupë dhe në Mavrovë–Rostushë. Në komunën e Qendër Zhupës, në garë është vetëm një kandidat, Arijan Ibaim, i propozuar nga Partia Demokratike Turke (PDT), i cili ka premtuar projekte për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët.
Ndërkaq, në komunën e Mavrovës dhe Rostushës, për postin e kryetarit të komunës garon Anes Ahmeti, kandidat i LSDM-së dhe koalicionit, i cili ka premtuar mbështetje për zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e infrastrukturës lokale. Kundërkandidati i tij është Oner Jakuposki, i propozuar nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni, i cili është zotuar për investime infrastrukturore, mbështetje të turizmit dhe përkrahje për rininë.
Sipas të dhënave zyrtare nga zgjedhjet lokale të 19 tetorit, në asnjërën nga katër komunat nuk u arrit censusi i nevojshëm prej 33,33 për qind të votuesve të regjistruar. Në Gostivar, nga gjithsej 82.870 votues, në votim morën pjesë rreth 33,31 për qind, çka ishte shumë pranë pragut, por sërish e pamjaftueshme për vlefshmërinë e zgjedhjeve.
Në Vrapçisht, pjesëmarrja ishte rreth 25,18 për qind nga 27.279 votues të regjistruar, ndërsa në komunën e Mavrovës dhe Rostushës votuan rreth 30,31 për qind nga 10.575 votues. Pjesëmarrjen më të ulët e shënoi Qendër Zhupa, ku në votime dolën vetëm 21,49 për qind nga 7.562 votues me të drejtë vote. Për shkak të mungesës së censusit, zgjedhjet u shpallën të pavlefshme dhe do të përsëriten më 11 janar.
Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), për zgjedhjet e përsëritura më 11 janar janë mbyllur listat e votuesve në katër komunat ku nuk u arrit censusi më 19 tetor. Numri i votuesve të regjistruar është si vijon: Gostivar – 82.870 votues, Vrapçisht – 27.279 votues, Mavrovë–Rostushë – 10.575 votues dhe Qendër Zhupë – 7.562 votues.
Këto shifra tregojnë qytetarët me të drejtë vote, duke përfshirë banorët e përhershëm, ata jashtë vendit dhe personat në burg ose paraburgim, dhe do të shërbejnë si baza për vlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 janarit. Për këtë arsye, në të katra komunat, kandidatët tashmë po përgatiten për garën e përsëritur për kryetar komune. Gazeta Flaka

