
Kandidati për kryetar komune, Nevzat Bejta, ka vizituar sonte Shoqërinë Kulturore Artistike “Jahi Hasani” nga Çegrani, ku është pritur nga kryetari i shoqërisë, Zani Memedi, dhe një pjesë e anëtarëve aktivë.
Gjatë takimit, Bejta i përgëzoi për punën e palodhshme dhe sukseset e arritura si në vend ashtu edhe në skenën ndërkombëtare, duke vlerësuar rolin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe traditave kombëtare.
“Takova kryetarin Zani Memedi dhe disa nga anëtarët, të cilët i përgëzova për punën e mrekullueshme dhe sukseset që i kanë arritur si në vend ashtu edhe në skenën ndërkombëtare,” u shpreh Bejta.
Ai garantoi mbështetje të vazhdueshme institucionale për aktivitetet kulturore të SHKA “Jahi Hasani”, duke bërë të ditur se do të realizohet edhe kërkesa e kahmotshme për ndërtimin e Pallatit të Kulturës në Çegran.
“Garantova mbështetje për çdo aktivitet kulturor të kësaj shoqërie dhe i njoftova se tashmë do të realizohet kërkesa e tyre e kahmotshme për ndërtimin e Pallatit të Kulturës në Çegran,” theksoi Bejta.
Në përfundim, ai theksoi se do të qëndrojë gjithmonë krah artistëve që përfaqësojnë me dinjitet vlerat kombëtare.
“Do të jem gjithmonë pranë artistëve që na bëjnë krenarë në çdo skenë ku prezantojnë vlerat tona kombëtare,” përfundoi Bejta. Gostivari Sot

