
Gostivari dhe rrethina po përballen sot me mot të paqëndrueshëm, të shoqëruar me reshje shiu dhe rënie të ndjeshme të temperaturave. Mëngjesin e sotëm, temperaturat më të ulëta në vend janë regjistruar në Kodrën e Diellit, ku u matën 0 gradë Celsius, ndërsa aty është shënuar edhe sasia më e madhe e reshjeve – 62 litra për metër katror. Në Lazaropole dhe Mavrovë janë regjistruar 2 gradë Celsius.
Sipas të dhënave të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), temperaturat mëngjesore në qytete dhe zona të tjera kanë lëvizur nga 4 gradë në Krushevë, 5 gradë në Shkup-Petrovec, Pretor, Pozharanë dhe Topolçan, deri në 6 dhe 7 gradë në pjesën më të madhe të vendit, përfshirë Tetovën, Prilepin, Kumanovën, Ohërin dhe Manastirin. Temperaturat më të larta janë matur në Gjevgjeli dhe Demir Kapi, me 10 gradë Celsius.
Përgjatë ditës pritet të mbizotërojë mot me vranësira të ndryshueshme dhe reshje shiu, të cilat lokalisht mund të jenë më të rrëmbyeshme, ndërsa në zonat malore të Gostivarit dhe Mavrovës reshjet do të jenë në formë bore. Do të fryjë erë e përforcuar nga drejtimi jugor.
Ndërkohë, qarkullimi në rrugët shtetërore në rajonin e Gostivarit po zhvillohet pa pengesa të mëdha, por rrugët janë kryesisht të lagështa. Autoritetet apelojnë për vozitje të kujdesshme, shpejtësi të përshtatur dhe respektim të sinjalizimit rrugor, veçanërisht në segmentet malore Gostivar–Mavrovë–Dibër, ku ekziston rreziku nga rrëshqitjet e dheut dhe reshjet e borës.
Kujtohet gjithashtu se pajisjet dimërore në automjete janë të detyrueshme deri më 15 mars 2026, pavarësisht kushteve aktuale të motit.

