Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, ka mbajtur sonte në Gostivar një takim të zgjeruar me rininë e koalicionit, duke theksuar rolin kyç të të rinjve në mobilizimin elektoral dhe në vizionin politik të kësaj force.

Në takim morën pjesë kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, kryesuesi i Këshillit Komunal Valdet Xhaferi, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, si dhe drejtues të shtabeve zgjedhore.

Të rinjtë e pranishëm shprehën angazhimin e tyre maksimal për ditët e fundit të fushatës, duke u zotuar se do të intensifikojnë aktivitetet në terren me synimin për të siguruar një fitore bindëse për kandidatin Valbon Limani.

Në fjalën e tij, Limani falënderoi rininë për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ata kanë qenë faktor kyç në rezultatin prej rreth 17 mijë votash në raundin e parë zgjedhor dhe se edhe kësaj here do të jenë vendimtarë për finalizimin e fitores. Ai nënvizoi se të rinjtë do të kenë rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike gjatë katër viteve të ardhshme, duke përmendur përfaqësimin e tyre të konsiderueshëm në Këshillin Komunal, ku një pjesë e këshilltarëve të AKI-së vijnë nga radhët e rinisë.

Takimi u mbyll me mesazh të qartë mobilizues, me thirrje për angazhimin e çdo të riu, të reje dhe familjarëve të tyre, me synimin që më 11 janar në Gostivar të shënohet një fitore e thellë për Valbon Limanin dhe një mandat i bazuar në qeverisje gjithëpërfshirëse.Gostivari Sot