
Në kuadër të aktiviteteve parazgjedhore, përfaqësuesit e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) zhvilluan një takim me banorët e lagjes “Sahati” në Gostivar. Në këtë bashkëbisedim, kandidati për kryetar komune, dr. Valbon Limani, prezantoi pikat kryesore të programit për mandatin e ardhshëm, me fokus zhvillimin urban, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.
“Gostivari ka nevojë për vazhdimësi në projekte dhe për qeverisje serioze. Lagjja ‘Sahati’ është pjesë e identitetit të qytetit dhe do të trajtohet me investime konkrete, jo me premtime boshe”, deklaroi Limani para banorëve.
Në takim morën pjesë edhe Kryesuesi i Këshillit Komunal të Gostivarit, Valdet Xhaferi, deputetët e AKI-së prof. Halil Snopçe dhe Talat Xhaferi, si dhe drejtues të shtabeve zgjedhore.
“Qytetarët sot kërkojnë rezultate dhe stabilitet. Ky ekip ka dëshmuar se di të qeverisë dhe di të mbajë përgjegjësi”, u shpreh Valdet Xhaferi.
Banorët e lagjes “Sahati” shprehën interes dhe mbështetje për konceptin e vazhdimësisë qeverisëse të dr. Valbon Limanit, duke theksuar se zgjedhjet e 11 janarit janë vendimtare për drejtimin dhe zhvillimin e ardhshëm të Komunës së Gostivarit.
“Ne duam një kryetar që e njeh qytetin dhe që nuk e eksperimenton me të. Për ne, vazhdimësia është zgjedhje e arsyeshme”, deklaroi një nga banorët e lagjes. Gostivari Sot




