
Forumet e Grave të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale në Gostivar, kanë zhvilluar sonte një takim politik në fshatin Çegran, kushtuar rolit të grave në procesin zgjedhor dhe mobilizimit qytetar.
Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi me pjesëmarrëset, ku u diskutua për rëndësinë e angazhimit të grave në jetën politike dhe në mbështetjen e kandidatit për kryetar komune të Gostivarit, Valbon Limani. Përfaqësuese të AKI-së theksuan se përfshirja e grave konsiderohet një element i rëndësishëm në komunikimin me elektoratin dhe në përcjelljen e programit zgjedhor.
Në këtë aktivitet ka reaguar edhe kryetarja e Asamblesë së Gruas së ASH-së, Shpresa Selimi, e cila përmes rrjeteve sociale ka vlerësuar atmosferën e takimit dhe pjesëmarrjen e grave nga Çegrani, duke theksuar mbështetjen për kandidatin e AKI-së në zgjedhjet e 11 janarit.
Sipas përfaqësuesve të koalicionit, fushata zgjedhore po vazhdon me aktivitete të rregullta në terren, me theks në komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe përfshirjen e strukturave partiake. Zgjedhjet lokale për Komunën e Gostivarit do të mbahen më 11 janar. Gostivari Sot

