Marketing Politik

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë të mërkurën se Beogradi kishte pritur hapa të mëdhenj përpara nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, por se deri një ndikim i tillë nuk është ndier.

“Kur flasim edhe për tarifat, kur flasim për sanksionet ndaj NIS-it, asgjë nga këto nuk ka qenë në dobi të interesave të Serbisë. Njëkohësisht, kur u përballëm me çaste të vështira, nuk e morëm atë mbështetje as nga fuqitë e tjera të mëdha, as nga Lindja, as nga BE-ja”, tha Vuçiç në hapjen e Konferencës së Ambasadorëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Beograd, shkruan REL.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione në tetor ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), kompanisë kryesore të naftës dhe gazit në Serbi, për shkak të pronësisë ruse.

Nga ana tjetër, Rusia nuk ka treguar gatishmëri për t’i shitur aksionet e saj shumicë në NIS, në mënyrë që ta bëjë të mundur heqjen e sanksioneve dhe ta ndihmojë Serbinë ta shmangë një krizë gazi.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha ditë më parë se Moska “ka ide” se si NIS-i mund të dalë nga kriza, por nuk dha hollësi.

Sa i përket tarifave amerikane mbi produktet e huaja, të cilat Trumpi i vendosi në prill të vitit 2025, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor më e goditura është Serbia.

Tarifat doganore të SHBA-së për Serbinë që nga ajo kohë janë 37 për qind, ose dy për qind më të larta se tarifat e reja doganore të vendosura për produktet nga Bosnja.

Akuza për bashkëpunimin ushtarak të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës

Në fjalimin para ambasadorëve, Vuçiç akuzoi vendet e rajonit se veprojnë kundër Serbisë, duke vënë në pikëpyetje të drejtën e tyre për të bashkëpunuar ushtarakisht.

Ai i ka akuzuar edhe më herët Shqipërinë, Kroacinë dhe Kosovën se po krijojnë një “aleancë ushtarake”, pasi këto tri vende në mars nënshkruan një deklaratë të përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin në sfidat e sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund ta rrezikojnë stabilitetin rajonal.

“Përse i kanë zgjeruar këto marrëveshje ushtarake edhe me Slloveninë dhe përse janë përpjekur kaq fort të fusin edhe Bullgarinë në këto procese? Është plotësisht e qartë se këtë nuk e kanë bërë për ndonjë histori gazetash. Përkundrazi, edhe kur kam biseduar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe me njerëz në BE, të gjithë kanë rrudhur krahët”, deklaroi Vuçiç.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia në vitin 2024 ka investuar më së shumti në qëllime ushtarake, krahasuar me të gjitha shtetet e tjera ballkanike.

Në vitin 2024, Serbia ka ndarë për ushtrinë 2.2 miliardë dollarë, që përbëjnë 2.6 për qind të produktit të brendshëm bruto.

Megjithatë, Vuçiç tha se “amerikanët në mënyrë të qartë dhe të hapur po i armatosin shqiptarët në Kosovë, ashtu si edhe Turqia”.