Lëvizja Arbëria mban Kuvendin e parë në Gostivar, miraton konkluza politike dhe organizative

Marketing Politik

Lëvizja Arbëria mbajti sot në Gostivar Kuvendin e parë të saj, duke shënuar një hap të rëndësishëm organizativ dhe politik në konsolidimin e strukturave dhe orientimit programor. Kuvendi u mbajt në përputhje me Statutin e Lëvizjes dhe, pas shqyrtimit të raportit të aktiviteteve, analizës së situatës politike dhe diskutimeve të zhvilluara, miratoi një sërë konkluzash me rëndësi strategjike.

Në fokus të konkluzave ishte riafirmimi i orientimit eurointegrues të shqiptarëve dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me thirrje urgjente për zhbllokimin e procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Kuvendi kërkoi reforma të thella dhe të pakthyeshme në drejtësi, rishqyrtimin e rasteve të montuara politike dhe garantimin e sigurisë në institucionet arsimore, si dhe veprim të vendosur kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.

Lëvizja Arbëria u angazhua për zhvillim ekonomik të zonave me shumicë shqiptare, me theks në infrastrukturë, bujqësi, energjetikë dhe shfrytëzim të potencialit të diasporës. Po ashtu, u shpreh përkrahje për projektet strategjike infrastrukturore dhe për partnerët e Koalicionit VLEN në qeveri, duke theksuar nevojën për rezultate konkrete dhe partneritet të barabartë në qeverisje.

Kuvendi përgëzoi Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për përkrahjen ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe Qeverinë e Shqipërisë për përparimin në integrimin europian. Njëkohësisht, u riafirmua vlerësimi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare, duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të paraburgimit të drejtuesve të saj në Hagë.

Në konkluzat e veçanta, Kuvendi përkrahu iniciativën për shndërrimin e Koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik, garantimin e votimit me postë për diasporën dhe përmirësimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë. Me propozim të kuvendarëve, Këshilli Drejtues u ngarkua të shqyrtojë, me analiza dhe procedura të kujdesshme, shndërrimin e Lëvizjes Arbëria në subjekt politik.

Në këtë Kuvend u zgjodhën edhe koordinatorët lokalë të Lëvizjes Arbëria: Adem Terziu për Tetovën, Demir Beqiri për Gostivarin, Llokman Sinani për Haraçinën dhe Miraim Bajrami për Dollnen/Krushevë. Gostivari Sot