Gjatë kontrolleve në Pollog, policia gjen 6 të mitur duke konsumuar alkool në një lokal në Tetovë

Marketing Politik

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se gjatë ditës së djeshme janë realizuar kontrolle aksionare në disa lokale në rajonin e Pollogut, me fokus respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të miturve.

Sipas njoftimit zyrtar, më 19.12.2025, në periudhën prej orës 22:10 deri në 23:55, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë, në bashkëveprim me Inspektoratin Shtetëror të Punës, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Drejtorinë e të Hyrave Publike, kanë kryer kontrolle në objektet hoteliere në rajonin e SPB Tetovë.

Gjatë kontrollit në një objekt hotelier në Tetovë, në rrugën “Jovan Onçevski”, ku si menaxherë janë paraqitur I.S. (23) dhe M.J. (22), të dy nga fshati Bërvenicë, janë hasur gjashtë persona të mitur, të cilëve u ishte shërbyer alkool.

Të miturit janë dorëzuar prindërve të tyre, ndërsa kundër pronarëve të objektit do të vijojë parashtresë përkatëse për veprën penale “shërbim i alkoolit për të mitur”, sipas nenit 204 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga institucionet e tjera pjesëmarrëse në aksion janë ndërmarrë masa dhe aktivitete shtesë në kuadër të kompetencave të tyre.